Kryetari i Komunës

Genci Nimanbegu lindi në vitin 1971. Jeton dhe vepron në qytetin e lindjes Ulqin.


Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në vendlindjen e tij Ulqin. Studimet i filloi në Fakultetin Ekonomik në Dubrovnik, por për shkak të ngjarjeve të luftës në ish-Jugosllavi, iu desh t'i ndërpresë ato dhe ti vazhdojë në Fakultetin Ekonomik në Podgoricë, ku edhe diplomoi.

Eksperiencë pune:
- Nga korriku deri në dhjetor të vitit 1997 ka punuar si bashkëpunëtor i drejtorit ekzekutiv të ndërmarrjes “Primus Elektronics” në Ulqin.
- Gjatë ngjarjeve të luftës në Kosovë (mars - qershor 1999), ai themeloi dhe udhëhoqi organizatën humanitare "Drita", e formuar në Ulqin, me qëllim të kujdesit dhe ndihmës për refugjatët e Kosovës.
- Punoi në "Programin Botëror të Ushqimit" të OKB-së (UN/WFP) nga qershori 1999 - deri në mbylljen e misionit në Mal të Zi - Mars 2004.
- Në prill të vitit 2004 ka marrë detyrën e drejtorit ekzekutiv të “Ulqin Business Association” (UBA). Kjo shoqatë atë vit kishte 60 anëtarë, ndërsa sot ka 280 anëtarë.
- Me një grup intelektualësh dhe patriotësh shqiptarë nga Ulqini, në vitin 2005, mori pjesë në krijimin e partisë shqiptare Forca e Re Demokratike dhe u zgjodh nënkryetar i saj.
- Është zgjedhur kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi në vitin 2013.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, ai u zgjodh deputet i Kuvendit të Malit të Zi, e poashtu mandatin e deputetit e fitoi edhe në zgjedhjet e vitit 2012, 2016, 2020 dhe 2024. Ai ishte deputet deri në nëntor të vitit 2024.
Gjatë Thirrjes së 26-të (2016-2020), ai shërbeu si Nënkryetar i Parlamentit të Malit të Zi dhe ishte anëtar i Delegacionit të përhershëm të Parlamentit të Malit të Zi në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.


Gjatë mandatit të tij parlamentar ka kryer këto funksione:
- Kryetar i Klubit të Deputetëve Shqiptarë;
- Zëvendëskryetari i Komisionit për Turizëm, Bujqësi, Ekologji dhe Planifikim Hapësinor;
- anëtar i Komisionit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut; Komisionit për monitorimin dhe kontrollin e procesit të privatizimit; të Komisionit për Reformë Gjithëpërfshirëse Zgjedhore dhe të Grupit Punues për Hartimin e Ligjit për Kuvendin e Malit të Zi.
-Ishte anëtar i Komisionit për Turizëm, Bujqësi, Ekologji dhe Planifikim Hapësinor, Komisionit për Ekonomi, Financa dhe Buxhet.
Ai u zgjodh kryetar i Forcës së Re Demokratike më 30 tetor 2021, unanimisht në Kongresin e 4-të të partisë.


Përveç gjuhës amtare - shqipes, ai flet edhe gjuhën malazeze, angleze dhe italiane, si dhe flet edhe frëngjisht.


Ai është i martuar me piktoren akademike Vahida, me të cilën ka dy fëmijë, Lisën dhe Jonin.