KOMUNA E ULQINIT
Sekretariati për veprimtari komunale dhe mbrojtjen e ambientit
KUMTESË PËR OPINION
nga mbledhja e përbashkët e subjekteve të interesuara nga komuna e Ulqinit, për hartimin e Planit lokal të veprimit për mbrojtjen e mjedisit jetësor (LEAP) dhe Planit lokal të veprimit për biodiversitetin (LBAP).
Me datë 04 tetor, 2019, në organizim të Sekretariatit për veprimtari komunale dhe mbrojtjen e ambientit, u mbajt mbledhja e përbashkët e subjekteve të interesuara, me qëllimin e hartimit të dy dokumenteve me rëndësi për Komunën e Ulqinit: Plani lokal i veprimit për mbrojtjen e mjedisit jetësor (LEAP) dhe Planit lokal i veprimit për biodiversitetin (LBAP) .
Në këtë takim, të udhëhequr nga sekretari i Sekretariatit për veprimtari komunale dhe mbrojtjen e ambientit, z. Mustafë Gorana, përveç ekspertes të angazhuar për hartimin e planeve të lartëpërmendur, znj. Rita Bajraktareviq dhe këshilltarit për mbrojtjen e ambientit, z. Tahir Tahiri, morën pjesë shumë prej OJQ-ve të ftuara që merren me mbrojtjen e mjedisit nga komuna e Ulqinit, si dhe përfaqësuesit e ndërmarrjes për veprimtari komunale, Ulqin.
Nga përfaqësuesit e subjekteve të interesuara, të ftuar në takim morën pjesë z.Xhelal Hoxhiq OJQ ”Hapi i Gjelbërt”, znj. Zenepe Lika - OJQ “Dr. Martin Shnajder”, g.Rasim Lika-OJQ ”Ekovita” si dhe drejtori i ndërmarrjes komunale z. Skender Kaleziqi me bashkëpunetorë.
Sekretari i Sekretariatit për veprimtari komunale dhe mbrojtjen e ambientit z. Mustafa Gorana në fjalën e vet hyrëse pasi foli për rëndësinë e dy Planeve mjedisore të përmendura, theksoi se, për hartimin me sukses planeve në fjalë, është shumë e rëndësishme kyçja dhe bashkëpunimi i të gjithë subjekteve relevante nga fusha e mbrojtjes së mjedisit nga komuna e Ulqinit. Z. Gorana tha se të gjitha mendimet, vërejtjet dhe sygjerimet eventuale në funksion të hartimit të Planit lokal të mjedisit jetësor dhe Planit lokal të biodiversitetit do të jenë të mirëseardhura nga ana e Sekretariatit dhe shumë të vlefshme e domethënëse për hartuesit e planeve në fjalë.
Mr. Rita Bajraktareviq, biologe e dipl., e angazhuar si konsulente profesionale, theksoi se Plani lokal për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe Plani lokal për biodiversitetin, janë dy dokumente themelore për komunën e Ulqinit nga fusha e mbrojtjes së mjedisit jetësor respektivisht biodiversitetit, në bazë të të cilëve do të krijohet një pasqyrë e qartë e gjendjes mjedisore dhe ekosistemit në mbarë teritorin e komunës. Përmes këtyre dy planeve, tha ajo, do të parashihen aktivitetet të cilat duhet ndërmarrë me qëllim të avancimit dhe përmirësimit të situatës aktuale të mjedisit gjegjësisht biodiversitetit në komunën e Ulqinit.
Përfaqësuesit e OJQ-ve të pranishëm në takim, u shprehën të gatshëm që të japin kontributin dhe ndihmesën e tyre në këtë drejtim përmes propozimeve dhe sygjerimeve konkrete, në mënyrë që këto dy Plane shumë të rëndësishme për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe biodiversitetit të aprovohen dhe të jetësohen në një afat sa më të shkurtër kohorë.
Sekretariati për veprimtari komunale dhe mbrojtje të ambientit, njëkohsisht, fton opinionin dhe subjektet e interesuara në komunën e Ulqinit, që të japin kontributin e vet në përpilimin e planeve të sipërpërmendur të veprimit për mjedisin dhe biodiversitetin, në mënyrë që këta dy dokumente me shumë rëndësi për Komunën e Ulqinit të përgaditen sa më parë dhe të aprovohen në Kuvendin Komunal të Ulqinit.
E theksojmë se, Komuna e Ulqinit ka nisur hartimin e dokumentave në fjalë, në bazë nenit 37 të Ligjit për mbrojtjen e mjedisit („ Fl. zyrt.”, nr 52/16), gjegjësisht nenit 13 të Ligjit për mbrojtjen e natyrës („ Fl. zyrt.”, nr 54/16).
Sekretariati për veprimtari komunale dhe mbrojtjen e ambientit