Me habi të madhe e kam ndjekur intervistën e Kryeministrit të Malit të Zi, z. Millojko Spajiq, në të cilën ai shprehu një sërë qëndrimesh dhe pretendimesh që janë në kundërshtim të plotë me ato që më parë i kishte deklaruar këshilltarëve dhe përfaqësuesve të vetëqeverisjes lokale në Ulqin. Për arsye që opinioni publik të jetë i informuar në mënyrë të saktë dhe të drejtë, deklaroj që:
Së pari, është e pavërtetë deklarata e Kryeministrit se nuk ka pasur fjalë për projekte konkrete në Plazhin e Madh. Përkundrazi, këshilltarëve të Kuvendit Komunal të Ulqinit u është thënë qartë se ekziston një interesim serioz për investime në zonën e Plazhit të Madh, që paraqet një resurs konkret lokal dhe shumë të ndjeshëm.
Gjithashtu, Kryeministri në intervistë tha se nuk ka informacione për projektet për të cilat thuhet se janë të interesuar investitorë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, e për të pranuar më pas, pas një pyetjeje të drejtpërdrejtë nga gazetari, se ka pasur komunikim me z. Alabar, i cili - sipas tij - është i interesuar për “një projekt të madh në bregdet”. Kjo kontradiktë hedh dyshime të mëdha mbi transparencën dhe koherencën e komunikimit qeveritar.
Përpjekja e Kryeministrit për të diskredituar integritetin tim, duke më paraqitur si dikë që “tregon versione të ndryshme të bisedës”, është sjellje e ulët dhe e padenjë për një kryeministër të një shteti sovran. Në të gjitha takimet tona - dhe kanë qenë gjashtë brenda dhjetë ditëve - kanë qenë të pranishëm deputetë, kryetarë komunash dhe përfaqësues të partive politike. Që nga dita e parë kam qenë i qartë dhe konsistent në theksimin e nevojës që çdo plan investimi në Ulqin të jetë në përputhje me dokumentacionin planifikues, me parimet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe me interesat e komunitetit lokal. Çdo konstatim tjetër është një e pavërtetë e rëndë.
Që në takimin e parë kam theksuar qartë se për Komunën e Ulqinit është e papranueshme që një ndërmarrje - qoftë edhe shtetërore - të marrë në menaxhim të gjithë hapësirën e Plazhit të Madh, pasi bëhet fjalë për një hapësirë jashtëzakonisht të rëndësishme, me vlera të shumta, të cilat duhen analizuar me kujdes përmes dialogut institucional.
Retorika dhe qëndrimet e Qeverisë, për fat të keq, ndryshojnë nga dita në ditë. Fillimisht thatë se nuk e njihni Mohamed Alabarin, më pas e prezantuat atë para këshilltarëve “paf-paf” në takim, dhe tani në fund thoni se po prisni një “letër interesi” nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Një mënyrë e tillë e të vepruarit nxit mosbesim - dhe kjo me të drejtë.
I bëj thirrje Kryeministrit Spajić që të respektojë qëndrimet dhe të gjitha përfundimet e Kuvendit Komunal të Ulqinit dhe që veprimet e tij t’i përputhë me Konventat Ndërkombëtare, Kushtetutën dhe ligjet e Malit të Zi, si dhe me nevojat e qytetarëve të Ulqinit. Ju nuk jeni përfaqësues i asnjë entiteti apo shteti tjetër - ju jeni Kryeministri i Malit të Zi - dhe ndaj ju bëj thirrje që sjellja dhe veprimet tuaja të jenë në përputhje me funksionin që ushtroni dhe me detyrimet kushtetuese që keni. Çdo përpjekje për të anashkaluar komunitetin lokal do të shkaktojë polarizime dhe tensione të mëtejshme, dhe protesta e fundit ka treguar qartë se pas qëndrimit institucional të Komunës së Ulqinit qëndron vullneti i qytetarëve.
Kryetar i Komunës së Ulqinit
Genci Nimanbegu