23. Janar 2025.
Me iniciativë të Kryetarit të Ulqinit, Genci Nimanbegu, u mbajt mbledhja e përbashkët e përfaqësuesve të komunës, atyre të Ministrisë së Planifikimit Hapësinor, Urbanizmit dhe Pasurisë Shtetërore, përfaqësuesve të Ndërmarrjes për të Mirat Detare dhe përfaqësuesit e qiramarrësve.
Komuna e Ulqinit inicioi këtë takim urgjent për t’u njoftuar në detaje lidhur me përgatitjet që janë duke u bërë për dhënien me qira të plazheve dhe objekteve të përkohshme në zonën e të mirave detare, si dhe për hartimin e hartës së plazheve në territorin e komunës së Ulqinit.
Këtij takimi i ka paraprirë ai paraprak, që kryetari Nimanbegu ka pasur me pronarë të plazheve, të cilët kanë shprehur shqetësimet e tyre në adresë të Ndërmarrjes për të Mirat Detare. Dihet që Ulqini kërkon që secila komunë bregdetare të ketë përfaqësuesit e saj në grupin punues për hartimin e planit të objekteve të përkohshme në zonën e të mirave detare. Në takim edhe një herë u dëgjuan vërejtjet që Komuna e Ulqinit ka në adresë të Ndërmarrjes për të Mirat Detare, për menaxhimin dhe investimet e tyre në territorin e komunës tonë.
Ndër të tjera, Komuna e Ulqinit ka shprehur shqetësimet për zhvillimin e ofertës turistike, e cila është bazë e mirëqenies ekonomike të qytetit tonë. Po ashtu, u theksua që politika e veprimit të Ndërmarrjes për të Mirat Detare ka qëllime të dëmshme, duke anashkaluar tërësisht afaristët dhe qiramarrësit e objekteve dhe plazheve që ndodhen në zonën e të Mirave Detare.
Vërejtjet që u theksuan në takim janë:
1. Çmimi i lartë i qirasë për plazhet, që vjen si rrjedhojë e disa faktorëve, siç janë: rritja e çmimit bazë, manovrimet me zonimin e Plazhit të Madh dhe rritja jo reale e sipërfaqes që përfshin një plazh.
2. Mbingarkesa e zonës së të Mirave Detare me objekte të ndryshme. Konkretisht, zona e Lumit Buna, e cila ka infrastrukturë të dobët, është tejmbushur me objekte dhe shtypiza pa kritere. E njëjta praktikë po implementohet edhe në plazhet e Ulqinit, duke planifikuar plazhe të reja në territorin e atyre ekzistuese.
3. Kthimi i pikëve afirmuese ndaj qiramarrësve të vjetër në nivelin e së paku 30%, siç ishte më herët, sepse çdo planifikim tjetër do të zvogëlojë investimin në përmirësimin e ofertës turistike.
4. Kthimi i plazheve publike në disa zona të qytetit, që do të avancojë ofertën turistike për të gjithë pushuesit, duke mos favorizuar vetëm ata që paguajnë për shfrytëzimin e plazhit.
Në bazë të të gjitha çështjeve të lartpërmendura, dhe shumë të tjera si mungesa e investimeve dhe anashkalimi i plotë i Komunës së Ulqinit, e cila është kontribuesi më i madh në territorin dhe financimin e të Mirave Detare, Komuna e Ulqinit kërkon që qiradhënia e objekteve edhe këtë vit të realizohet me anë të aneksit njëvjeçar, dhe apelojmë që ligji i ri, i cili më në fund do të kthejë menaxhimin e kësaj zone komunave përkatëse, të vendoset në rend të ditës.