08. Dhjetor 2024.
Kryetari i Komunës, Genci Nimanbegu, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, priti në takim përfaqësuesit e Bankës Botërore, të kryesuar nga Drejtori Rajonal për Sektorin e Zhvillimit të Qëndrueshëm, Z. Sameh Wahba, dhe Christopher Sheldon, shefin e zyrës së Bankës Botërore në rajon.
 
Gjatë takimit, u shkëmbyen mendime për prioritetet e Ulqinit në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm, ndërkohë që mysafirët shprehën interes për t’u njohur me aktivitetet që planifikohen në periudhën e ardhshme, të cilat mund të financohen nga Banka Botërore dhe që janë prioritete strategjike zhvillimore.
 
Kryetari Nimanbegu, duke falënderuar mysafirët për vizitën, veçoi disa nga projektet për të cilat Komuna e Ulqinit është tejet e interesuar, si ato në fushën e turizmit, infrastrukturës, kanalizimit, bujqësisë, mjedisit, digjitalizimit etj.
Një tjetër çështje e rëndësishme që u diskutua gjatë takimit ishte ajo e portit të peshkatarëve në kepin e Gjeranës. Kryetari Nimanbegu theksoi se bëhet fjalë për një projekt që ka rëndësi të madhe për qytetin e Ulqinit, pasi populli ynë ka një traditë dhe histori detare.
 
Në takim u theksua se projekti, me një vlerë mbi 15 milionë euro, do të financohet nga Banka Botërore, e cila në janarin e vitit të ardhshëm do të hapë procedurat e tenderit, pas së cilave do të fillojnë punimet në këtë projekt, i cili është diskutuar dhe pritur prej shumë vitesh. Në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave, si dhe anëtarët e Projektit MIDAS 2.