26. Nëntor 2024.

Decentralizimi është një nga kushtet kyçe që një shtet të bëhet anëtar i BE-së, përmes të cilit menaxhimi i burimeve natyrore dhe ekonomike duhet të kryhet nga vetë administrata e atij qyteti ku ndodhen këto burime. Prandaj, Komuna e Ulqinit duhet të marrë përsipër menaxhimin e burimeve të Kripores. Pa Kriporen nuk ka BE.

Nëse qeveritë e mëparshme kanë dashur të betonojnë dhe shkatërrojnë këtë të mirë të përbashkët që na e ka dhuruar natyra, jo vetëm Malit të Zi, por gjithë Evropës dhe botës, ne, si qytetarë të këtij qyteti, jemi mobilizuar ta mbrojmë atë me të gjitha mjetet demokratike. Falë mbështetjes së diplomacive të huaja në Mal të Zi, kemi arritur ta mbrojmë këtë të mirë të përbashkët.

Sot, prej vitesh, akuzojnë se Komuna e Ulqinit nuk ka kapacitetin për të menaxhuar Kriporen dhe kërkojnë krijimin e ndërmarrjeve të reja për të grabitur këtë burim, ashtu siç kanë bërë me shumë të mira të Komunës së Ulqinit - me hotelet e mira në bregdet, pasuritë e komunës dhe shumë gjëra të tjera.

Komuna e Ulqinit mund të marrë vendimin për menaxhimin e Kripores, por për mirëmbajtjen e saj është e nevojshme ndihma e qeverisë, dhe këto janë dy gjëra të ndryshme. Të gjitha qeveritë e mëparshme i kanë konsideruar investimet në Ulqin si mjete të tyre personale, duke harruar se qytetarët e Ulqinit janë ndër kontribuuesit më të mëdhenj të taksave dhe tarifave në buxhetin shtetëror.

Mua, si kryetar komune, më është e qartë vizioni jo vetëm për Kriporen, por edhe për të gjitha potencialet natyrore dhe ekonomike që ka Ulqini. Të gjitha këto burime duhet të jenë nën menaxhimin e Komunës, ndërsa investimet për mirëmbajtje dhe punët publike duhet të vijnë nga qeveria, deri në momentin kur Kriporja të jetë në gjendje të vetëfinancohet, sepse potenciali i saj është i madh.