20. Nëntor 2024.
Me sanimin e një pjese të argjinaturës Gropat-Shtodër në lumin Buna është përfunduar një fazë e rëndësishme e punimeve për stabilizimin e një segmenti kritik dhe forcimin e infrastrukturës së sistemit për mbrojtjen nga përmbytjet.
Rekonstruksioni i kësaj pjese të eroduar të lumit Buna është pjesë e projektit rajonal “Menaxhimi i integruar i rreziqeve nga përmbytjet në pellgun e zgjeruar të lumit Drin”, i cili realizohet në bashkëpunim mes qeverive të Malit të Zi, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, me mbështetjen financiare të Fondit të Adaptimit dhe nën udhëheqjen e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
 
Punimet u realizuan gjatë periudhës gusht-tetor të këtij viti dhe përfshinë vendosjen e mbulesës së gurëve për të sanimin e segmentit të eroduar të argjinaturës. Projekti u zbatua në përputhje me standardet më të larta të ndërtimit dhe mjedisit. Gjatë realizimit të tij, një vëmendje e veçantë iu kushtua ruajtjes së ekosistemit të lumit dhe bashkëpunimit me komunitetin lokal, nevojat dhe sugjerimet e të cilëve ishin thelbësore për zbatimin e suksesshëm të projektit.
 
Në këtë fazë të punimeve u investua një shumë totale prej 1 milion euro, nga të cilat 300,000 euro u përdorën për hartimin e projektit kryesor, ndërsa 700,000 euro për punimet ndërtimore.
Ky projekt përfaqëson hapin e parë të një plani më të gjerë për rekonstruksionin e argjinaturave përgjatë lumit Buna, i cili është me rëndësi të madhe për zvogëlimin e rrezikut nga përmbytjet dhe mbrojtjen e jetës, pronës dhe burimeve natyrore.
 
Me rastin e përfundimit të punimeve, në Ulqin u mbajt një takim mes përfaqësuesve të UNDP-së, Komunës së Ulqinit, Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave, Drejtorisë për Ujërat, përfaqësuesve të komunitetit lokal dhe kompanive kontraktuese.
 
Përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Mal të Zi, Ekaterina Paniklova, falënderoi ekipet e Komunës së Ulqinit, Ministrisë dhe Drejtorisë për Ujërat për bashkëpunimin efektiv, duke theksuar kontributin dhe rolin aktiv të komuniteteve lokale në të gjitha fazat e projektit.
“Ky projekt tregon se si partneritetet cilësore mund të çojnë në rezultate të qëndrueshme. UNDP përdor kapacitetet e saj për të krijuar kushte ku qeveritë, komunat, sektori privat dhe komunitetet mund të bashkëpunojnë për arritjen e qëllimeve të përbashkëta. Është e rëndësishme të theksohet se investimi në mbrojtjen nga përmbytjet është një zgjedhje strategjike dhe e menduar - në këtë mënyrë mbrohen jetë, prona, ruhet ekosistemi dhe ndihmohen komunitetet të mbeten të qëndrueshme ndaj fatkeqësive natyrore. UNDP është e përkushtuar për të bashkëpunuar me Malin e Zi në zgjidhjen e sfidave më komplekse dhe për t’i kthyer ato në rezultate të qëndrueshme dhe konkrete,” tha Paniklova.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, theksoi se rëndësia e këtij projekti tejkalon punimet ndërtimore.
 
“Përmes një pune të përbashkët, brenda një periudhe të shkurtër kohore, u realizua investimi i parë i rëndësishëm në rekonstruksionin e argjinaturës së lumit Buna. Jam mirënjohës partnerëve nga UNDP-ja, Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave, Drejtorisë për Ujërat, si dhe kompanive kontraktuese, për përkushtimin dhe vetëdijen e tyre për rëndësinë e këtij projekti për komunitetin lokal. Komuna e Ulqinit do të vazhdojë të punojë në zhvillimin e projekteve të qëndrueshme që përmirësojnë cilësinë e jetës së bashkëqytetarëve tanë,” tha ai.
Drejtori i Përgjithshëm në Ministri, Željko Furtula, dhe drejtoresha e Drejtorisë për Ujërat, Vesna Bajović, vlerësuan se ky projekt është një hap i rëndësishëm, por njëkohësisht një kujtesë se mbetet ende shumë për t’u bërë në sigurimin e qëndrueshmërisë afatgjatë ndaj përmbytjeve, përmes rikonstruksionit dhe ndërtimit të mëtejshëm të infrastrukturës përgjatë rrjedhave lumore.
Qeveria e Malit të Zi është e përkushtuar për të mobilizuar fonde për vazhdimin e rekonstruksionit të sistemit të argjinaturave në lumin Buna. U theksua rëndësia e bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal për menaxhimin e përgjegjshëm të burimeve ujore të përbashkëta. Një sistem efikas i kontrollit dhe mirëmbajtjes së infrastrukturës për mbrojtjen nga përmbytjet siguron funksionalitet afatgjatë dhe qëndrueshmëri ndaj fatkeqësive natyrore.
 
Kryetari i Bashkësisë Lokale Bashkimi, Skender Tahiri, shprehu kënaqësinë për përfundimin e punimeve, të cilat do të përmirësojnë cilësinë e jetës së popullsisë lokale.
“Presim që aktivitetet për rikonstruksionin dhe mirëmbajtjen e argjinaturës në lumin Buna të vazhdojnë, duke siguruar kështu një prosperitet afatgjatë për komunitetet lokale,” tha ai.