07. Nëntor 2024.
DIALOGU ULQINAK: Bëhuni pjesë e ndryshimit

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin (UNDP) në Mal të Zi dhe Komuna e Ulqinit ftojnë të gjithë qytetarët e interesuar në Dialogun Lokal: Komuniteti nxit ndryshimin, i cili do të mbahet më 21 dhe 22 nëntor në Hotelin Plaza.

Ftojmë në një dialog joformal dyditor të gjithë ata që jetojnë në Ulqin dhe që kanë dëshirë të kontribuojnë aktivisht për të mirën e përbashkët, një të tashme dhe të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët. Programi zgjat nga ora 9:30 deri në 16:30 të ditës së parë, ndërsa ditën e dytë do të organizohen aktivitete nga ora 10:00 deri në 14:30. Dialogu Ulqinak është një ambient frymëzues dhe i hapur, në kuadër të së cilit, nëpërmjet punës në grup, do të iniciohen veprime për të mirën e përbashkët dhe të ardhmen e të gjithëve. Ky rast unik do t'u mundësojë pjesëmarrësve që të:

• Shkëmbejnë mendime dhe ide se çfarë duan të përmirësojnë në komunën e tyre dhe çfarë komune ata dëshirojnë;
• Bisedojnë së bashku me bashkëqytetarët/et dhe përfaqësuesit e pushtetit vendor për sfidat kryesore në komunitetin e tyre siç janë: gjuha e urrejtjes, dhuna me bazë gjinore, dhuna ndërmjet bashkëmoshatarëve, marginalizimi i grupeve të caktuara shoqërore etj.
• Shkëmbejnë vizionin e tyre për komunitetet që promovojnë bashkimin, solidaritetin, respektimin e diversiteteve dhe besimin tek njeri tjetri, si edhe besimin tek institucionet.
• Jenë pjesë e një platforme në të cilën, propozimet për zgjidhje të sfidave specifike, të merren parasysh nga institucionet vendore, kombëtare dhe ndërkombëtare.

 

Qytetarët/et do të punojnë nëpërmjet dialogut të hapur, punës në grup, aktiviteteve inovative dhe prezantimeve edukative, që së bashku me përfaqësuesit e institucioneve vendore të hartojnë rekomandime konkrete që do të kontribuojnë në përmirësimin e kohezionit social në Ulqin. Këto rekomandime dhe ide duhet të pasqyrojnë vlerat e të mirës së përbashkët, solidaritetin, bashkëpunimin, respektimin e tolerancës, të qenit të ndjeshëm, barazinë gjinore dhe çdo barazi tjetër dhe parandalimin e gjuhës së urrejtjes. Pjesëmarrësit/et e Forumit do të kenë rastin që, pas forumit dyditor, të jenë pjesë e Laboratorit për inovacione në fushën e kohezionit social, ku idetë e propozuara do të zhvillohen më tej dhe do të mbështetet realizimi i disave prej tyre.

Të gjithë qytetarët e interesuar mund të aplikojnë për pjesëmarrje, duke përfshirë këtu të rinjtë, gratë, organizatat lokale të shoqërisë civile, arsimtarët, prindërit, afaristët, përfaqësuesit e mediave dhe aktorë të tjerë socialë që duan të kontribuojnë për të mirën e përbashkët.

I ftojmë të bashkohen me ne duke plotësuar formularin në link dhe të bëhen pjesë e ndryshimit! Afati i fundit për aplikim është data 18 nëntor 2024.

Dialogu Ulqinak është pjesë e programit të përbashkët të Kombeve të Bashkuara “Së bashku për të mirën e përbashkët”, të cilin e zbatojnë UNDP, UNICEF dhe UNESCO, në bashkëpunim me Qeverinë e Malit të Zi. Këtë projekt e financon Fondi i OKB-së për ruajtjen e paqes. Programi synon të forcojë kohezionin social nëpërmjet rritjes së besimit të qytetarëve tek institucionet, si dhe forcimit të qëndrueshmërisë së komuniteteve ndaj gjuhës së urrejtjes, dhunës me bazë gjinore, dhunës ndaj dhe ndërmjet fëmijëve dhe të rinjve.