11. Tetor 2024.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, në kuadër të 10 vjetorit të Procesit të Berlinit, ishte panelist në Forumin e Shoqërisë Civile në Berlin, i organizuar nga Shoqata e Evropës Juglindore dhe Instituti Aspen. Gjatë diskutimit të tij mbi temën “Mbrojtja e mjedisit dhezhvillimi i qëndrueshëm ekonomik”, Kryetari Nimanbegu prezantoi çështjen e Kryporës së Ulqinit, fazat nëpër të cilat ka kaluar dhe detyrat e përgjegjësitë që janë marrë si institucion deri në vendosjen e saj në funksion për qytetarët dhe turistët e shumtë që vizitojnë Ulqinin. Kryporja e Ulqinit përfaqëson një potencial të madh natyror, kulturor, ekonomik dhe historik.
 
Kryporja e Ulqinit, së bashku me shumë asete të tjera kombëtare dhe qytetare të Komunës së Ulqinit, është përballur me kërcënime të mëdha për shkak të praktikave të dyshimta të privatizimit dhe shfrytëzimit ekonomik. Falë sensibilizimit të kësaj çështjeje nga shoqëritë civile, organizatat joqeveritare, përfaqësuesit politikë shqiptarë në parlamentin e Malit të Zi, si dhe lobimit nga disa përfaqësi diplomatike në Mal të Zi, Kuvendi i Ulqinit e ka shpallur Kryporën zonë të mbrojtur si Park Natyror “Kryporja e Ulqinit”, duke e mbrojtur atë nga betonizimi dhe degradimi i saj.