09. Tetor 2024.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, ka organizuar një takim me Drejtorin Ekzekutiv të Sistemit të Shpërndarjes Elektrike të Malit të Zi (CEDIS), Vladimir Ivanoviq. Me këtë rast, ata diskutuan një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me furnizimin me energji elektrike të Komunës së Ulqinit.
Drejtori Ivanoviq theksoi se Komuna e Ulqinit është një nga më të përpiktat në dorëzimin e dokumentacionit të lidhur me investimet në territorin e saj, ku deri tani janë investuar mbi 4 milionë euro.
Sa i përket investimeve, është në fazën e zgjedhjes së kontraktorëve dhe përgatitjes së dokumentacionit për më shumë se 10 stacione të reja transformatorësh, përfshirë vendbanimet Pinjesh, Fusha e Ulqinit, Shtoj, Plazhi i Madh, Fraskanjel, Liman, Kolomza, dhe të tjera.
Gjithashtu, në vitin 2025, CEDIS do të nisë projektin e ndërtimit të linjës kabllore të tensionit të mesëm 35 kV dhe stacionin e transformatorit TS 35/10 kV Plazhi i Madh 3, në segmentin nga vendbanimi Kodre deri te Plazhi i Madh. Vlera e këtij investimi është 2 milionë euro. Kjo do të kontribojë në mënyrë të konsiderueshme në një furnizim më të besueshëm dhe më të sigurt të përdoruesve në atë pjesë të Ulqinit.