20. Gusht 2024.
Për të shtatin vit me radhë manifestimi "Ditët e bamjeve"
Për të shtatin vit me radhë në Pallatin Venecija në Kala të Ulqinit, u organizua manifestimi “Ditët e bamjeve”, i cili tradicionalisht në këtë manifestim sjell një numër të madh musafirësh, dashamirës të ushqimeve tradicionale.
Genci Nimanbegu, Kryetari i Komunës së Ulqinit, në hapje të këtij eventi i përgëzoi organizatorët për valorizimin dhe brendimin e bamjes, të cilat tashmë kanë fituar vendin meritor në promovimin e kuzhinës tradicionale të Ulqinit, të trashëguar nga të parët tanë.
 
“Mbrojtja e brendimit specifik  “Bamjet në mënyrë ulqinake”, është një kontribut që vetë ulqinakët i kanë dhënë qytetit të tyre. Kjo është një mundësi që mysafirët tanë të shijojnë para së gjithash shijen dhe aromën e ushqimit tonë cilësor, por edhe të shijojnë muzikën e bukur të mjeshtrave më të mirë. Unë dua që imazhi pozitiv i Ulqinit të shkojë sa më larg dhe të gjithë turistët tanë të ndjejnë kënaqësinë e pushimeve këtu. Me hapjen e këtij aktiviteti në vendin tim të lindjes, i përgëzoj organizatorët, e posaçërisht mjeshtërat e kuzhinës që na lanë si trashëgimi të parët tanë”, tha kryetari i Komunës së Ulqinit Genci Nimanbegu.
 
Kryetari Nimanbegu po ashtu theksoi se nën udhëheqjen e tij, Komuna e Ulqinit bëri përpjekje që të gjitha aktivitetet kulturore dhe ekonomike të harmonizohen këtë vit në një kalendar unik të ngjarjeve, të cilat këtë verë i japin Ulqinit një qasje të veçantë të një komuniteti që ka çfarë të ofrojë dhe që kujdeset edhe për kulturën dhe për traditën, por edhe për ekonominë.