Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu pati një takim me pjesëmarrësit e Kalimerës Poetike ,,Basri Çapriqi 2024" , Akademik Ali Aliu, Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës Mehmet Kraja, poetin Sadik Bejko, botuesin Bujar Hurdhi, etj. Fillimisht ai përshëndeti mysafirët dhe i përgëzoi për mbrëmjet e bukura artistike që u realizuan e që dëshmuan edhe njëherë rëndësinë që i kushton Art Clubi përmbajtjeve të këtij lloji.
Kryetari Genci Nimanbegu insistoi që Ulqini, veçmas gjatë stinës së verës të shëndrrohet në qendër të kulturës së shqiptarëve në Malin e Zi e ku vlerat tona kulturore do ti prezantoheshin opinionit të gjërë. Këtë e kemi obligim dhe detyrë ndaj bashkëvendasve tanë kudo jetojnë në Mal të Zi, theksoi kryetari Nimanbegu.
Ai i njoftoi mysafirët me investimet që do të realizohen në qytetin tonë, me sfidat në fushën e zhvillimit por dhe me situatën politike në Mal të Zi.
Bashkëbiseduesit u pajtuan që komunikimi duhet të jetë i vazhdueshëm me Tiranën dhe Prishtinën zyrtare , ndërkohë që Akademia e Shkencave dhe institucionet e kulturës duhet ti japin ndihmesë dhe përkrahje të vazhdueshme Ulqinit dhe trevave të tjera ku jetojnë shqiptarët në Mal të Zi.