Me ftesë të Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Administrimit të Ujërave Vladimir Jokoviq, kryetari i Komunës, Genci Nimanbegu, ishte në një takim pune ku u diskutuan një sërë çështjesh me rëndësi për Komunën e Ulqinit.
Ministri Jokoviq i falenderoi pjesëmarrësit në takim dhe i njoftoi se së shpejti do të fillojë projekti në Komunën e Ulqinit që ka të bëjë me ndërtimin e Bentit në Bunë me qëllim mbrojtjen nga vërshimet. Projekti, i cili mbështetet nga UNDP, kap vlerën rreth 700,000 euro.
Kryetari Nimanbegu e falenderoi Ministrin Jokoviq dhe shpalosi një sërë problemesh me të cilat ballafaqohen qytetarët e Ulqinit që merren me bujqësi dhe blegtori. Sa i përket investimit në Bent nga zona Gropat - Shtodër, është një projekt i mirëseardhur dhe shumë i rëndësishëm për komunën tonë dhe ju jemi falenderues, sepse dëmet që shkaktohen nga vërshimet e lumit Buna janë shumë të mëdha. Nimanbegu gjithashtu potencoi kujdesin e veçantë që duhet t'i kushtohet këtij projekti, sidomos në infrastrukturën rrugore, dhe do të përcillet me kujdes nga sekretariati përkatës.
Në takim morën pjesë edhe përfaqësues nga UNDP të udhëhequr nga shefja në Mal të Zi, Ekaterina Panlikova, përfaqësues nga ministria si dhe Leart Taipi nga Sekretariati për Veprimtari Komunale dhe Banesore në Komunën e Ulqinit.