27. Mars 2024.
Takim miqësor dhe konstruktiv me këshilltarin për çështjet ekonomike në Ambasadën e Republikës Popullore të Kinës në Podgoricë, Wang Changjiang dhe bashkëpunëtorët e tij.
 
Gjatë takimit prezantova projektet aktuale dhe të planifikuara në komunën e Ulqinit, siç janë ndërtimi i rrjetit të kanalizimit dhe ujësjellësit, ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza, qendrës sportive dhe stadiumit në Plazhin e Madh, urën në lumin Buna, portin e peshkimit në Kepin e Gjeranave, si dhe projektet për ndërtimin e kapaciteteve të reja hoteliere.
 
Bilanci tregtar midis Malit të Zi dhe Kinës është vazhdimisht në rritje. Ka shumë hapësirë për bashkëpunim, sidomos në fushën e turizmit. Vetëm vitin e kaluar Malin e Zi e kanë vizituar mbi 42 mijë turistë nga Kina, çka tregon qartë potencialin e këtij tregu.
 
Z. Changjiang theksoi se disa kompani të rëndësishme nga Kina janë tashmë të pranishme në Mal të Zi dhe po punojnë aktivisht në realizimin e projekteve serioze në fushën e infrastrukturës rrugore dhe prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme.
 
Ambasada e Republikës Popullore të Kinës, përmes kanaleve të saj të diplomacisë ekonomike, do të informojë kompanitë kineze për projektet aktuale dhe të planifikuara të komunës së Ulqinit për të nxitur interesimin e tyre.