Kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari dhe kryetari iKomunës së Staten Island, Vito Fossella, nënshkruan sot në Staten Island, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, marrëveshjen për binjakëzimin e këtyre dy komunave. Në nënshkrimin e marrëveshjes mori pjesë edhe ministri për të drejtat e njeriut dhe të pakicave në Qeverinë e Malit të Zi, Fatmir Gjeka.
Marrëveshja e nënshkruar parashikon bashkëpunim në shumë fusha me rëndësi për dy komunat, veçanërisht në fushën e kulturës, arsimit, ekonomisë dhe bashkëpunimit institucional.
Në ceremoninë e rastit foli kryetari Bajkratari, i cili tha se sot është një ditë e veçantë kur solemnisht së bashku po nënshkruajnë marrëveshjen e binjakëzimit, e cila forcon lidhjet mes dy komunave për të mirën e qytetarëve. Në veçanti falënderoi shoqatat e diasporës të komunës së Ulqinit, përangazhimin dhe punën e tyre të palodhur pa të cilën nuk do të ishte i mundur ky binjakëzim. Ai shtoi se është jashtëzakonisht i kënaqur me faktin se shoqatat e diasporës ulqinake janë më aktive se kurrë dhe se vazhdimisht marrin pjesë në realizimin e projekteve të dobishme shoqërore për vendlindjen e tyre siç janë ndihmat për njerëzit në nevojë, shkëmbimi kulturor, shkollat e gjuhës dhe projekte të tjera, për financimin e të cilëve deri tani janë ndarë disa qindra mijëra dollarë.
Kryetari Fossella tha se ngjashmëritë mes Staten Island dhe Ulqinit janë shumë të mëdha sepse janë komuna multikulturore banorët e të cilave jetojnë në harmoni dhe kontribuojnë në zhvillimin e komuniteteve të tyre.
Staten Island është komuna më jugore e qytetit të Nju Jorkut, ku jeton komuniteti më i madh i diasporës nga komuna e Ulqinit, numri i të cilëve llogaritet në disa mijëra. Nënshkrimit të marrëveshjes i ka paraprirë aktiviteti intensiv shoqëror i shoqatave të diasporës “Ulqini”, “Ana e Malit” dhe “Kraja”. Kjo marrëveshje paraqet bashkëpunimin e parë institucional ndërmjet Ulqinit dhe Staten Island.