Ullishta e Ulqinit dhe gjiri i Valdanosit u prezantuan sot si propozim që të jenë peizazh kulturor i mbrojtur me ligj në konferencën me titullinin “Identifikimi dhe analiza - Ullishta e Ulqinit dhe gjiri i Valdanosit - mbrojtja e trashëgimisë natyrore dhe kulturore - peizazhi" , e cila u organizua nga OJQ Dr. Martin Schneider Jakobi (MSJA).
Në konferencë u prezantua Studimi i Peizazhit Kulturor, i cili për herë të parë përfshiu të gjitha elementet e të mirave kulturore dhe i bashkoi në një dokument, si pasuri materiale dhe jomateriale.
Duke hapur konferencën, ndër të tjera theksova se “Valdanosi dhe ullishta përfaqësojnë një hapësirë unike dhe një perlë të vërtetë natyrore”. Kur riorganizuam Komunën e Ulqinit formuam Sekretariatin për Ekologji, Bujqësi dhe Zhvillim Rural, duke marrë parasysh faktin se Valdanosi është pikërisht ndërthurja e gjithë kësaj. Dhe vërtet mendoj se sa i përket ullishtes së Ulqinit, së bashku me gjirin e Valdanosit jemi në rrugën e duhur. Ne kemi investuar mjete shtesë në rikonstruksionin e disa rrugëve drejtë Valdanosit, kemi dhënë edhe fonde për kultivuesit e ullirit kurse mbetet të punojmë ende në kuadrin institucional. Një drejtim është mbrojtja kurse tjetri është rruga për në Unesco, që është paksa më e vështirë për momentin. Gjithashtu dëshirojmë të dërgojmë një mesazh të qartë se Komuna e Ulqinit po i kushton vëmendje të veçantë zonës së Valdanosit.