Dita e Ulqinit është dita që ndërlidh simbolikën e lundrimit, ullirit dhe turizmit - vlerat bazë që përbëjnë thelbin e identitetit të këtij qyteti të vogël por krenar. Kjo ditë paraqet një mundësi për të kujtuar të gjitha të arriturat dhe rezultatet, por edhe për t'u fokusuar në të ardhmen e qytetit tonë.
Pa dyshim që kjo është një ditë kur jemi të obliguar t’i kujtojmë me krenari të gjithë ata që kanë kontribuuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë për zhvillimin e qytetit tonë dhe reputacionin e tij në rajon.
Pikërisht për këtë, ky Kuvend vendosi që t'i ndajë titullin “Qytetar Nderi i Ulqinit” (post mortem) mjekut dhe humanistit të nderuar, dermatologut Simë Dobreci, i cili dha një kontribut madhor në zhvillimin e mjekësisë dhe emancipimin e komunitetit shqiptar në komunën tonë.
Titulli “Qytetare Nderi e Ulqinit” i jepet sot për herë të parë një gruaje, ish-ambasadores së Republikës Federale të Gjermanisë në Mal të Zi, zonjës Gudrun Stajnaker, e cila dha një kontribut të madh në krijimin e kushteve për mbrojtjen e Kripores së Ulqinit duke ndikuar me autoritetin e vet tek organet shtetërore për të ecur në drejtim të ruajtjes së saj.
Po ashtu, titullin “Qytetar Nderi i Ulqinit”, Kuvendi Komunës Ulqinit ia akordon z. Zyhni Beqirajt, i lindur në Durrës, por me origjinë nga Ulqini, i cili mblodhi komunitetin e ulqinakëve në Durrës dhe krijoi një lidhje të fortë kulturore dhe shoqërore mes Durrësit dhe qytetit të tij të origjinës.
Për këtë rast solemn, në emër të Kuvendit të Komunës, i falënderoj të gjithë zjarrfikësit-shpëtimtarë të Shërbimit për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Ulqinit për kontributin dhe angazhimin e palodhur në luftën kundër fatkeqësive natyrore në komunën tonë, në komunat e tjera në Mal të Zi, si dhe për pjesëmarrjen e tyre në operacionin e shpëtimit të viktimave të tërmetit të fundit në Turqi.
Dua t’i falënderoj të gjitha shkollat e Ulqinit, nxënësit e të cilave na bëjnë krenarë në çdo garë të diturisë duke fituar çmime dhe medalje të shumta.
Dua të falënderoj Shkollën e Muzikës së Ulqinit, e cila vazhdon të krijojë talente dhe të marrë çmime në gara të shumta muzikore.
Faleminderit të gjitha klubeve sportive që përfaqësojnë me krenari qytetin tonë në garat lokale dhe ndërkombëtare.
Faleminderit punëtorëve të Veprimtarive Komunale që kujdesen që qyteti ynë të jetë i pastër dhe i rregullt,
Faleminderit stafit të Shtëpisë së Shëndetit si dhe Entit për Ndihmë Emergjente Mjekësore, të cilët janë gjithmonë në dispozicion për t’i ndihmuar të gjithë sa herë që është nevoja.
Faleminderit punëtorëve të kulturës dhe artistëve që mbajnë me krenari ngjyrat e stemës së Komunës tonë.
Faleminderit të gjithëve që kontribuojnë për ta bërë Ulqinin të njihet sot si qytet i bashkëjetesës harmonike, tolerancës dhe respektit të ndërsjellë.
Ulqini është qytet me potencial të madh, histori të pasur, trashëgimi kulturore dhe natyrë të bukur. Ne i kemi të gjitha resurset e nevojshme për t'u zhvilluar dhe për të u bërë një nga qytetet më të mira në rajon. Por kjo nuk është e lehtë dhe kërkon përpjekje dhe punë nga të gjithë ne. Prandaj, ju ftoj që së bashku të angazhohemi edhe më fort për qytetin tonë, për Ulqinin tonë.
Të gjithë qytetarëve të komunës së Ulqinit u uroj Ditën e Ulqinit!