15. Tetor 2022.
Një delegacion nga qyteti i Elbasanit qëndroi për vizitë në Ulqin

Delegacion i kryesuar nga Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, u prit nga nënkryetari i Komunës Sabri Salaj dhe Kryetari i Kuvendit Ardian Mavriq. Nikoqirët duke i dëshiruar mirëseardhje mysafirëve bënë një prezantim të shkurtër të qytetit, folën për mundësinë e fushave të bashkëpunimit me një qytet siç është Elbasani i cilësuar si qendër e rëndësishme e kulturës, arsimit dhe artit shqiptar, por dhe për multinacionalitetin e Ulqinit dhe harmoninë ndërfetare.
 

Ndërkaq, Z.Gledian Llatja foli për zhvillimin e qytetit të Elbasanit për aktivitetet e shumta me karakter bashkiak, kombetar dhe  ndërkombëtar që zhvillohen atje dhe gadishmërinë  e forcimit të lidhjeve midis shqiptarëve në të dy anët e kufirit  dhe shkëmbimin e përvojës. Në qytetin e Elbasanit vepron dhe një komunitet malazez i cili është i integruar në të gjitha sferat e jetës.
 

Palët u pajtuan, që në një të ardhme të afërt midis Ulqinit dhe Elbasanit të kemi hapa konkret të bashkëpunimit dhe nënshkrimin e një marëveshtje ku kultura, arti, arsimi, projektet  e përbashkëta IPA, sporti, shënimi i përvjetorëve të rëndësishëm, ekspozita dhe aktivitete të tjera do të zinin  vend të veçantë. Ishte mendim i përbashkët që takime të këtij lloji janë të mirëseardhura dhe i shërbejnë, njohjes më të afërt dhe shkëmbimit të eksperiencave.