28. Dhjetor 2020.

Më 28 dhjetor 2020 u mbajt mbledhja e Kolegjiumit të Kryetarit të Kuvendit në të cilën u shqyrtua materiali i mbërritur për shqyrtim në Kuvendin e Komunës dhe u dakordua propozimi i Programit të Punës së Kuvendit për vitin 2021.

Qëndrimet e shprehura në mbledhjen e Kolegjium treguan divergjencë mendimesh që kanë të bëjnë me pozicionin e këshilltarit në raport me institucionin, ligjshmërinë dhe pasojat e vendimeve të cilët miratohen në Kuvendin e Komunës së Ulqinit.

Të tre vendimet kyçe të Kuvendit të Komunës së Ulqinit që kanë të bëjnë me financat publike dhe taksat e qytetarëve, këtë vit kanë ardhur në shqyrtim në Kuvend jashtë çdo afati ligjor. Edhe propozimi i Buxhetit të Komunës së Ulqinit për vitin 2021, ka ardhur në Kuvend më datën 23 dhjetor 2020, plot 22 ditë pas afatit ligjor. Duke e pasur parasysh që Ministria për Financa dhe Çështje Sociale e Malit të Zi i ka dhënë pëlqimin e saj edhe pse iu është dërguar Propozimi i Buxhetit me vonesë edhe asaj për pëlqim, kam vendosur që të thërras mbledhjen e dytë të Seancës së Dytë të Rregullt të Kuvendit të Komunës së Ulqinit më datën 30 dhjetor me fillim në ora 12 në të cilën do të shqyrtohet Buxheti i Komunës për vitin 2021.

Është e qartë që me këtë këshilltarët dhe qytetarët nuk kanë mundësi për të bërë amandamente dhe për të shtruar pyetjet e këshilltarit. Pra këshilltari si përfaqësues i popullit nuk e ka mundësinë të jetë në shërbim të tyre. Mirëpo, qëndrimi i shumicës së përfaqësuesve të klubeve të këshilltarëve në Kuvendin e Komunës së Ulqinit ka qenë që Kuvendi të mbahet pa marrë parasysh rrethanat e cekura.

Si epror i organit legjislativ të Komunës së Ulqinit, nga dita e parë jam zotuar që do të ruaj dinjitetin dhe të drejtat e secilit këshilltar në pajtueshmëri me ligjin, Statutin e Komunës dhe Rregulloren e Kuvendit të Komunës. Mirëpo raportet e demokracisë në komunë i bien ndesh këtij parimi dhe duke respektuar mendimet ndryshe dhe nevojën për transparencë dhe llogaridhënie që e kemi obligim ndaj qytetarëve dhe qytetit dhe, duke e respektuar rolin e kuvendit, vendosa ta thërras mbledhjen për 30 dhjetor.

KRYETARI,

Dr. Ilir ÇAPUNI, d.v.