Më 14 dhjetor 2020, Kuvendi i Komunës së Ulqinit mbaroi mbledhjen të cilën e filloi më 7 dhjetor dhe u vazhdua më 9 dhjetor.
Gjatë mbledhjes më 9 dhjetor, Kuvendi ka miratuar Vendimin për Ndryshimin e Buxhetit të Komunës së Ulqinit (ose siç njihet „rebalansit të Buxhetit”) për vitin 2020 në formën e propozuar pa asnjë ndërrim. E potencojmë këtë, për të shuar çdo keqkuptim të mundshëm lidhur me deklaratat për ndërrimet e propozimit lidhur me buxhetin e alokuar për Qendrën Sirena.
Në po këtë mbledhje u miratua edhe vendimi me të cilin i jepet pëlqimi Qeverisë së Malit të Zi për të ndërtuar ujësjellësin dhe kanalizimin në fshatin Krruç.
Në vazhdimin e 14 dhjetorit, u miratua vendimi për llogarinë përfundimtare të buxhetit për vitin 2019 dhe vendimi i cili rregullon parkimin e makinave në Ulqin. Me amandamentet e propozuara nga këshilltari Ilir Çapuni u vendos që masat e dhunshme ndaj tejkalimit të kohëzgjatjes së parkimit të jenë më të buta dhe të kufizohet gjobitja e veturave me targa të huaja ashtuqë të tregohet mikpritja dhe tradita turistike e Ulqinit.
Propozim Vendimi për lartësin, mënyrën e llogaritjes dhe pagesës së kontributit të antarësisë Organizatës Turistike të Ulqinit, nuk ka marrë pëlqimin e shumicës së duhur të këshilltarëve dhe rrjedhimisht nuk është miratuar.
Në këtë mbledhje është miratuar edhe Strategjia për Sport deri në vitin 2021 së bashku me përfundimin që Kuvendi të krijojë një grup pune i cili do ta marrë iniciativën për të ndërtuar stadiumin e futbollit në Ulqin nga fillimi e deri në fund.
Në mbyllje të seancës, u bënë emërimet dhe shkarkimet nëpër trupat punues të Kuvendit dhe si vijon u miratuan:Aktvendimi për ndryshimet dhe plotësimet e Aktvendimit për emërimin e Këshillit për zgjedhje dhe emërime, Aktvendimi për ndryshimet dhe plotësimet e Aktvendimit për emërimin e Këshillit për Statut dhe dispozita, Aktvendimi për ndryshimet dhe plotësimet e Aktvendimit për emërimin e Këshillit për bashkëpunim ndërkomunal dhe ndërkombëtar dhe bashkëpunim me diasporën, Aktvendimi për ndryshimet dhe plotësimet e Aktvendimit për emërimin e Këshillit për veprimtari shoqërore parashtresa dhe ankesa, Aktvendimi për ndryshimet dhe plotësimet e Aktvendimit për emërimin e Këshillit për financa, ekonomi dhe zhvillim dhe Vendimi për ndryshimet dhe plotësimet e Vendimit për emërimin e këshilltarëve që marrin pjesë në lidhjen e martesës në Komunën e Ulqinit.