15. Shtator 2018.
Kuvendi i Komunës së Ulqinit: Filloi punën Këshilli për Përmirësimin e Pozitës së Personave me Invaliditet dhe të Hendikepuar

Sot, më 14 shtator 2018, në hapësirat e Komunës së Ulqinit, u mbajt mbledhja e parë e Këshillit për Këshilli për Përmirësimin e Pozitës së Personave me Invaliditet dhe të Hendikepuar. Mbledhjen e kryesoi kryetari i këtij Këshilli Sabri Halili, kurse fjalën hyrëse dhe përshëndetëse e mbajti kryetari i Kuvendit Ilir Çapuni. Çapuni potencoi detyrat dhe rëndësinë e këtij këshilli për të drejtuar politikat e qytetetit që kanë të bëjnë me mundësitë e barabarta të të gjithë qytetarëve. Kryetari Çapuni theksoi domosdoshmërinë që secili qytetar të mund të mund të ngjiten në të gjitha shkallët fizike, por edhe administrative të institucioneve publike. 

Më tej, fjalën e morën edhe Skender Elezaga i cili më hollësisht shpalosi të drejtat e kësaj shtrese të shoqërisë dhe obligimet e institucioneve. Anëtarja e këtij Këshilli Dr. Majlinda Kurt duke përshëndetur të pranishmit njoftoi hapat që po ndërmerren për të instaluar ashensorin në Shtëpinë e Shëndetit në Ulqin, kurse Mirjeta Gjoni rikujtoi edhe obligimin ligjor për përfshirjen e njerëzve me aftësi të kufizuar në administratë dhe përgëzoi të pranishmit me lajmin që këto ditë Komuna e Ulqini ka mbaruar procesin ligjor për punësimin e njërit nga këta. 

Pjesëmarrësja e veçantë e kësaj mbledhjeje ka qenë Magdalena Gjonoviq, hyrja e së cilës në Komunë ishte prekëse për të gjithë të pranishmit. Ajo shpalosi një listë të tërë sfidash me të cilat ballafaqohet ajo çdo ditë, me obligimet që kanë institucionet, por shpalosi edhe vullnetin e mirë dhe vuri në dispozicion kohën dhe energjinë e saj për të filluar me zgjidhjen e këtyre problemeve një nga një. 

Në emër të OJQ-ve të qytetit, të pranishëmve iu drejtua edhe Nazif Veliqi, i cili dha udhëzimet lidhur me dokumentet strategjike të cilat duhen miratuar për t'i dhënë drejtimin e duhur kësaj problematike.