03. Korrik 2018.
Kompania Sichuan Electric Power Design & Consulting Co., LTD e interesuar për investim në sektorin e energjisë në Ulqin

Kryetari i Komunës Ulqinit, Loro Nrekiq, kryetari  i Kuvendit Komunal Ilir Çapuni me bashkëpunëtorë pritën në një takim përfaqësuesit e kompanisë kineze Sichuan Electric Power Design & Consulting Co., LTD. ndër më prestigjiozet në sektorin e prodhimit të energjisë solare. Ata, pas takimeve në Ministrinë  e Ekonomisë dhe interesimit për pjesëmarrje në tenderin e shpallur për panelet solar kërkuan të dhëna shtesë nga autoritet vendore lidhur me lokalitetin e Malit të Brisë,  analizave të bëra gjeomorfologjike, shpërndarjes së energjisë së fituar në mënyrë solare, por dhe për obligimet e investitorit dhe atë se çfarë ofron Komuna e Ulqinit për ta. 

Investimi në fjalë është vepër që sipas studimeve ka një kosto të lartë dhe kapacitet gjenerimi prej disa qinda megavatësh. Edhe me këtë rast u theksua që Komuna e Ulqinit është tejet e interesuar për këtë investim dhe është e gatshme që t’u dalë në ndihmë kërkesave të investitorit. Pritet që shumë shpejt një grup ekspertësh të kompanisë të vizitojnë Ulqinin dhe lokalitetin ku parashihet investimi.