Sot në mënyrë solemne u bë dorëzimi i donacionit të Agjencisë Turke për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim - TIKA për NP “Ujësjellës dhe Kanalizim”.
Në pyetje është pompa për ujë me kapacitet 35 litra në sekond, e cila është montuar në burimin e Klleznës.
Me këtë rast përshëndetën kryetari i Komunës së Ulqinit Nazif Cungu dhe Koordinatori i TIKË-s Ahmet Alltun.
Kryetari i Ulqinit iu falenderua Agjencisë Turke për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim për këtë dhe të tërë donacionet e tjera që TIKA i ka dhënë Ulqinit.
“Burimet e Klleznës janë të një rëndësie të veçantë në të gjithë sistemin e furnizimit të qytetit me ujë,veçmas gjatë sezonit turistik kur kërkesat janë shumë më të mëdha sesa në periudhën e dimrit. Në objektin ku është montuar pompa nuk është investuar prej dekadash, andaj si pasojë e kësaj jo rrallë herë ka ardhur deri tek ndërprerja e furnizim me ujë në disa zona përfshirë dhe qendrën e qytetit. Instalimi i pompës së re do të sigurojë një furnizim normal” - tha në fjalën e tij kryetari Cungu i cili i shprehu falenderime përfaqësuesve të TIKË-s për këtë investim dhe investimin e paralajmëruar në restaurimin e Xhamisë së Namazgjahit dhe Hamamit të Pashës.
Nga ana tjetër Koordinatori i TIKË-s Ahmet Alltun tha se kjo Agjenci do të vazhdojë të përkrahë dhe projekte të tjerë në Komunën e Ulqinit dhe në komuna të tjera në malin e Zi. Në ceremoninë e dorëzimit të donacionit ishte i pranishëm dhe ambasadori i Republikës së Turqisë në Malin e Zi Serhat Galip. Vlera e pompës së ujit është 20.000 euro.