30. Shtator 2016.
Dita e Bashkëpunimit Evropian, Cungu: Në fazën e parë të Fondeve IPA1 – Komuna fitoj 7 projekte me një total prej 1.6 milionë Euro

Me rastin e Ditës së Bashkëpunimit Evropian, në bashkëpunim me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Integrimeve Evropiane të Malit të Zi, kryetari i Komunës së Ulqinit, z. Nazif Cungu, priti ditën e premte në ambientet e Komunës studentë e gjimnazistë të rinj nga Ulqini.

Në fjalën e tij të rastit, kryetari Cungu, zhvilloi një resume të punës së deri tanishme të Komunës në lidhje me angazhimin e këtij insitucioni për të fituar sa më shumë projekte IPA të Bashkimit Evropian të cilat janë të shumta dhe me vlerë për qytetin e Ulqinit.

Z. Cungu, falënderoi personalisht punonjësit e Komunës dhe veçanërisht zyrën për Bashkëpunimin Ndërkombëtar dhe Projekteve, për rezultatet e tyre në vitin 2013, ku kjo zyrë u shpall dhe zyra më e mirë në të gjithë Malin e Zi. Me aplikimet e kësaj zyre, u arrit që të fitohen 7 projekte me një vlerë totale prej 1.6 milionë euro. Ndërkohë që në mbyllje të fjalimit të tij, Kryetari Cungu, duke falenderuar të rinjt e pranishëm në këtë takim i ftoi ata të bëhen pjesë e këtyre projekteve, pasi ato janë e ardhmja për zhvillimin e tyre profesional dhe akademik.

 

Fjala e plotë e kryetarit të Komunës së Ulqinit, z. Nazif Cungu:

 

Të nderuar të pranishëm, përfaqësues të medijeve, të nderuar nxënës,

Përshëndes drejtoreshën gjenerale për koordinimin e fondeve të EU-së, Ivana Glisheviq - Gjuroviq,

Mirësevini në këtë takimi të cilin e organizojmë në bashkëpunim me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Integrimeve Evropiane të Malit të Zi, për nder të Ditës së Bashkëpunimit Evropian.

Komuna jonë është shumë e vetëdijshme për mundësitë e fondeve evropiane dhe asistencës paraaderuese të Bashkimit Evropian - për fondet IPA. Në periudhën e parë programore IPA 1 - ne ishim Komuna më e sukseshme në Mal të Zi me numrin e projekteve të fituar dhe me sasinë e mjeteve të kontraktuar.  Duke u falenderuar ekipit tonë nga Zyra për Bashkëpunim Ndrëkombëtar dhe Projekte ne kemi arritur të fitojmë 7 projekte me vlerë totale rreth 1.6 milion euro.

Në këtë periudhë me sukses janë implementuar këto projekte:

Blerja e mekanizimit për pastrim dhe mirëmbajtje të plazheve 240.000 euro, fondi nga komponenta parë IPA
Qendra për Trajnimi  e Grave, 300.000 euro, IPA Adriatic fondi
M2RES, 87.000 euro, fondi South East Europe
Cross Border Pact, 60.000 euro, fondi CBC Mali i Zi - Shqipëri
Projekti Marubi, 194.000 euro, fondi CBC Mali i Zi - Shqipëri
Adriatic Welfare Mix, 100.000 euro fondi IPA Adriatic
Projekti ndërkomunal për efikasitetin energjetik 670.000 euro

Rezultatet e lartë permendur e kanë kandiduar Zyrë për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte të shpallet zyra më e mirë në Mal të Zi në vitin 2013.

Gëzon fakti që edhe periudha e ardhshme programore e ashtuqujtura IPA 2 ofron edhe më shumë mundësi dhe programe për projekte dhe grante të reja.

Andaj, shfrytëzoj këtë rast t’ju ftoj, në veçanti juve të rinjve, që të kyçeni në mënyrë sa më aktive, sepse përgatitja dhe implementimi i projekte të EU-së është profesion i cili ka perspektivë dhe kërkesë në tregun e punës. 

Ju ftoj të shfytëzoni përvojën të cilën Komuna e Ulqinit ka akumuluar në këtë fushë, sepse kjo mundëson avansimin e aftësive menaxhuese, implementimin e projekteve dhe menaxhimin e ciklit projektues, ju jep mundësi të udhëtoni dhe profesionalisht të specializoheni.

Të nderuar të pranishëm,

Principi kryesor në të cilin është themeluar Bashkimi Evropian është principi i bashkëpunimit. Në Mal të Zi procesi i integrimeve evropiane ka ndikuar dukshëm në rritje e bashkëpunimit ndërkufitar. Bashkëpunimi ndërkufitar është thelbi i integrimeve evropiane. Andaj, lirisht mund të them se integrimet evropiane janë imperativ i kohës dhe se të gjithë ne e kemi për detyrë që në mënyrë sa më aktive të kyçemi në utilizimin e fondeve Evropiane.

Faleminderit!