Sot në Seancën solemne të Kuvendit Komunal të Ulqinit, Nazif Cungu u zgjodh për Kryetar të Komunës së Ulqinit dhe me këtë rast ai dha betimin para këshilltarëve.
Në ekspozeun e mbajtur me këtë rast ai theksoi:
Kam nder por edhe përgjegjësi të madhe, që më keni dhënë përsëri besimin për të qenë në krye të Komunës, në krye të qytetit tonë me një trashëgimi të pasur kulturore dhe historike, të një qyteti të pasur me burime natyrore me të cilat nuk mund të krenohet asnjë komunë tjetër, dhe të qytetit që është gjithmonë shembull i bashkëjetesës harmonike dhe tolerancës së ndërsjelltë në mes qytetarëve të saj. Ne jemi të vetëdijshëm se, pavarësisht prej potencialeve tona zhvillimore, situatën e vështirë në të cilën gjendemi nuk mund ta kapërcejmë për një kohë të shkurtër. Megjithatë, unë poashtu jam i vetëdijshëm edhe për një fakt tjetër, se komuna jonë ka dijeni dhe kapacitetet e nevojshme që më në fund qyteti të marr drejtimin e duhur. Për te ndryshuar situatën dhe të kthejm optimizmin, na duhet shumë punë dhe një angazhim i pakursyer i të gjithë organeve administrative dhe ndërmarrjeve publike.
Vëmendjen më të madhe duhet t'ia kushtojmë rinisë, si në arsimimin ashtu edhe në aftësimin profesional të saj. Rinia është garancia jonë për një të ardhme të sigurt të komunës së Ulqinit. Ne, të cilët kami marrë përsipër përgjegjësinë për menaxhimin e komunës, jemi të obliguar të punojmë në krijimin e kushteve të cilët për rininë dhe të tjerët do të hapin vende të reja pune, e në këtë mënyrë të ndalojmë emigrimin e popullit tonë. Duke përmirësuar cilësinë e ofertës turistike të komunës, gradualisht do të bëjmë orientimin drejt turizmit të lartë, për cka dikur qyteti ynë ishte i njohur në botë.
Me fillimin e realizimit të projekteve të mëdha infrastrukturore, ne do tu kthejmë optimizmin afaristëve tanë lokal, të cilët do të kenë përkrahje pa rezervë dhe në të njëjtën kohë do të tërheqim edhe investitorët e huaj. Vëmendje e veçantë do t'i kushtohet përmirësimit të kushteve për zhvillimin e bujqësisë. Mbrojtja dhe rivitalizimi i burimeve tona natyrore dhe mjedisore do të jetë në focus te veçantë i interesit tonë. Natyrisht, kujdes të veçantë do ti kushtojmë ngritjes dhe cilësisë së aktiviteteve kulturore si dhe zhvillimit të të gjithë llojeve të sporteve. Do të punojmë në mënyrë transparente në luftën kundër korrupsionit dhe mos angazhimit e te punesuarve ne secilin sektor.
Të nderuar këshilltarë, unë jam i vetëdijshëm se ky model i koalicionit të gjerë është një sfidë e madhe për të gjithë ne, por unë jam i bindur se kemi të njëjtin qëllim, që Ulqini më në fund të eci drejt zhvillimit.
Çdo arritje pozitive, do të jetë një sukses jo vetëm i koalicionit që ma ka besuar këtë post, por edhe i opozitës, nga e cila pres kritika dhe sygjerime cilësore. Kjo është një mundësi dhe nevojë për të përmirësuar nivelin e dialogut politik dhe bashkëpunimin ndërmjet të gjithë subjekteve politikë që veprojnë në komunën e Ulqinit.
Unë personalisht, si kryetar i komunës, do të angazhohem maksimalisht në arritjen e këtyre objektivave, si dhe çdo gjëje që mund të kontribuojë në gjendjen më të mirë të qytetit dhe qytetarëve. Do të punoj në mënyrë të palodhur për të krijuar një ambijent në të cilin të gjithë qytetarët do të besojnë në mundësinë e arritjeve të dëshirave dhe qëllimeve të veta, kurse miqtë dhe të ftuarit të dëshirojnë te na vizitojnë përsëri.
Vërtetim për vendosmërinë tonë për të ndryshuar gjendjen e përgjithshme në Ulqin paraqet edhe marrëveshja e koalicionit e nënshkruar para disa ditesh. Prej sot ne fillojmë përgatitjet për konsolidimin e situatës shumë të vështirë financiare, të cilën do ju paraqesim shumë shpejt me propozimin e buxhetit për vitin 2016. Dhe së dyti, prej sot fillojmë përgatitjet për sezonin e ardhshëm turistik, i cili tashmë është në prag.
Të nderuar qytetarë, unë shpresoj se së bashku ne do të arrjmë që Ulqinit përsëri ti kthejmë shkëlqimin e dikurshëm, dhe ta vendosim atë në hartën e destinacioneve të njohura turistike botërore, aty ku pa asnjë dyshim ka edhe vendin e merituar.
Faleminderit, 21.03.2016 Nazif Cungu