Kryetari i Komunës së Ulqinit Fatmir Gjeka dhe bashkëpunëtorët e tij pritën në një takim pune udhëheqës të lartë të kompanisë AGN -AGENCIA nga qyteti frencez Cap D’age i njohur për zhvillimin e turizmit nudistik në Francë dhe më gjerë. Ata shprehën interesimin e tyre për dhënien në konsesion në afat të gjatë të ishullit Ada dhe investime të medha në këtë pjesë atraktive.
Drejtori komercial i kompanisë Zhorzh Sakmezo dhe Kryetari i Dhomës Ekonomike Francezo- Malazeze David Pjer Blok shpalosën idenë e tyre, ndërkohë që nikoqiret kryetari Gjeka, nënkryetari Ardian Mavriq dhe kryetari i bordit në Riveren e Ulqinit Agron Ibrahimi dhanë informacionet e nevojshme dhe u përgjigjen në pyetjet e të interesuarve.
Të shtojmë që këtë çështje investitoret nga Franca e kane parashtruar edhe në takimin që kanë pasur me kryeministrin Millo Gjukanoviq, në Ministrinë për Zhvillim të Qendrueshëm dhe Turizmit dhe në Sekretariatin për Projekte Zhvillimore. Ata njëkohësisht janë të njohur edhe më përsëafrmi me bukuritë që ngërthen Ada pasi disa herë e kanë vizituar ate në përcjellje të autoriteteve të Rivierës së Ulqinit.