Drejtori i këtij kolektivi Mihailo Gjuroviq dhe bashkëpunëtorët e tij që këto ditë po vizitojnë komunat bregdetare u pritën nga kryetari Fatmir Gjeka, kryetari i Kuvendit Fuad Haxhibeti, drejtoresha e Organizatës Turistike dhe sekretarët e sekretariatëve të Komunës.
Ata bashkarisht shqyrtuan investimet që ka berë kjo ndërmarrje gjatë këtij viti në Ulqin dhe ata që parashihen të realizohen në vitin e ardhëshëm.
Ishte konstatim i përgjitshëm që bashkëpunimi me këtë ndërmarrje në dy vitet e fundit ka shënuar një avansim, ndërkohë që mbetet ende shumë për të bërë.
Sipas përfaqësuesve të NP „Të Mirat Detare“ këtë vit në Komunën e Ulqinit është planifikuar të mblidhen 900.000 euro e kjo shifër u tha se ështe tejkaluar në 914.000 euro.
Nga këto mjete gjysma i takon komunës.
Të pranishmit detalisht shqyrtuan, projektet që është dashtur të realizohen gjatë këtij viti nga ndërmarrja në fjalë.
U pa që pjesa më e madhe e tyre janë realizuar, ndërkohe që disa kanë mbetur ende pa u kryer, siç është muri nga ish hoteli ''Jadran'' përgjatë pyllit të pishave deri tek hoteli „Albatros“ dhe ndonjë projekt tjetër.
Ndërkohë përfaqësuesit e Komunës shprehën shqetësimin e tyre për disa çështje.
Ata kërkuan kyçjen në projekte të përfaqësuesve tanë, respektivisht besimin e punëve Agjencisë përkatëse që funksionon në kuadër të Komunës, kërkuan revitalizimin cilësorë të pyllit të pishave ku do të kyçej ndërmarrjes komunale të pastrimit, por dhe çështje të tjera me interes të përgjithshëm për Komunën e Ulqinit.
Pas diskutimeve konstruktive u la që në vitin e ardhshëm, nga mjetet që do të siguroheshin nga pronarët e 37 plazheve që jepen me qira në Komunën tonë nga 338 objekte të përkohëshme dhe ata në Ujdhesën Ada të investohen në molen e madhe të qytetit, nje projekt i rëndë rreth 750 mijë euro, në ngritjen e një staze nga hoteli Albatros deri në Gjerana, bashkarisht me ndërmarrjen për çështje komunale të hartohet projekti për revitalizimin e pyllit të pishave, të rregulohet parku në plazhin e vogël, respektivisht në afërsi të kompanisë Hollegro, por dhe disa projekte në infrastrukturë.
Të gjitha këto do të zënë vend në programin final i cili pritet të jetë gati deri në fund të vitit.
Të pranishmit prekën dhe çështjen e dislokimit të qytetarëve nga barakat e dikurshme të hotelit -„Jadran“ në ndërtesën e re, për të cilën Komuna dhe NP „Të Mirat Detare“ kanë ndarë mjete të konsiderueshme. Lidhur me të gjithë proceduren pasuese pritet të nënshkruhet një aneks marrëveshje midis dy palëve.