Për herë të parë në Komunën e Ulqinit, por edhe në Mal të Zi, u organizua manifestimi „Shalqini i Ulqinit“ e cila u mbajt në Shtoj dhe tuboi rreth vetes prodhues të produkteve vendase dhe mysafir e pushues, të cilët në emër të Komunës së Ulqinit i përshëndeti Kryetari i Komunës z. Genci Nimabegu:
„Të nderuar prodhues , bujq ,mysafirë dhe të ftuar!
Më lejoni fillimisht t’ju përshëndes në emër të Komunës së Ulqinit dhe t’ju uroj mirëseardhje në këtë aktivitet që për të parën herë e organizojmë dhe e kemi pagëzuar,,Shalqini i Ulqinit”. Jo, më kot, aktivitetin e kemi organizuar në Shtoj, duke ju rikujtuar të gjithëve që shalqini i prodhuar në tokën e Shtoit ka qenë i njohur dhe i vlerësuar në të gjithë ish Jugosllavinë dhe më gjerë.
Të gjithë na kanë njohur për shumëllojshmërinë e shalqinjve që është prodhuar në Ulqin, për ëmbëlsinë dhe shijen e tyre. Nga duart e bujqve tanë ka dalë prodhim pa konkurencë i shalqinjve në tregun e gjerë, ndërsa amviset tona kanë përgatitur reçele dhe kompote të ndryshme edhe nga lëkura e shalqinit.
Sot, fatkeqësisht situata ka ndryshuar dhe prodhuesit tanë kanë vështirësi që të plasojnë në treg ato sasi sa mund të prodhojnë. Andaj, mbetet detyrë permanente e jona që të ndërmarim hapa të duhura e të ndihmojmë prodhuesit e shalqinit që të depërtojnë në treg.”
Në fund të fjalimit kryetari Nimanbegu i ftoi të pranishmit, që të shijojnë frytin e shalqinit dhe prodhimet e tjera të ekspozuara nga amvisërit vendase, të cilat siç tha edhe vetë kryetari, dëshmojmë se sofra jonë përherë pret miq dhe mysafirë.