I nderuari kryetar i Komunës, të nderuar këshilltarë, përfaqësues të pushtetit ekzekutiv, përfaqësues të mediave, të nderuar qytetarë të komunës së Ulqinit, të nderuar qytetarë të diasporës ulqinake, zonja dhe zotërinj,
Pas saktësisht dy vitesh, sot ju drejtohem për herë të fundit nga pozita e kryetarit të Kuvendit të Komunës së Ulqinit, funksionit më të lartë në Dhomën Legjislative të Ulqinit. Ishte një nder i madh për mua të kryeja këtë funksion dhe të bashkëpunoja me të gjithë ju në misionin tonë të përbashkët - në rritjen e cilësisë së jetës së bashkëqytetarëve tanë. Në dy vitet e mëparshme kemi kaluar momente të gëzueshme, por edhe sfida të vështira. Së bashku arritëm të marrim shumë vendime të mira që kishin për qëllim tu përgjigjen nevojave dhe kërkesave të qytetarëve tanë dhe ekonomisë së qytetit.
Edhe pse nuk ishte kompetencë e drejtpërdrejtë e kryetarit të Kuvendit, kam punuar në mënyrë aktive në mbështetjen e sektorit të ICT-së dhe inovacioneve, sepse kam besuar se Ulqini ka rini të aftë dhe të zgjuar që mund t'i përgjigjet sfidave moderne të zhvillimit teknologjik dhe të krijojë kompani globale, pa pasur nevojë të largohen nga qyteti ynë. Ajo që ka munguar më heret ishte mbështetja institucionale të cilën e kam dhënë pa kursuar veten. Ulqini është bërë qytet i hakatonëve, takimeve të komunitetit të ICT-së dhe inovacionit, që paraqet hapin e parë drejt arritjes së qëllimit final - Ulqini si HUB i inovacionit në jug të Malit të Zi.
Të nderuar të pranishëm,
Po largohem nga posti në bazë të marrëveshjes së vitit 2022, si marrëveshjes së koalicionit të shumicës së re parlamentare,por të gjithë jeni dëshmitarë që nuk është gjithmonë kështu. Kujtoj me inat ngjarjet e pakëndshme të fundit në këtë sallë kur persona të papërgjegjshëm u përpoqën të mbanin pushtetin me mashtrim, dhunë ligjore, por edhe me tentativë të pasuksesshme të dhunës fizike. Pushteti i takon ekskluzivisht qytetarëve të komunës së Ulqinit, ndërsa ne jemi vetëm përfaqësuesit e tyre të cilëve u është deleguar e drejta për të ushtruar pushtetin në emër të tyre, përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Shpresoj që me këtë akt, duke respektuar marrëveshjen e koalicionit, të paktën të rikthej besimin e qytetarëve tek përfaqësuesit e tyre politikë dhe të dërgoj mesazhin se jo të gjithë përfaqësuesit e tyre janë të gatshëm të mashtrojnë partnerët. Seanca e kaluar tregoi dhe dëshmoi se përkundër sjelljes arrogante të ish-zyrtarëve ndaj meje dhe këshilltarëve, dimë të jemi tolerantë dhe të qëndrojmë të përmbajtur, ashtu siç u ka hije ulqinakëve, të cilët shquhen jo vetëm për mikpritjen, por edhe për tolerancën dhe veprim të mençur në kohë të vështira.
Dua të falënderoj të gjithë këshilltarët për bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen konstruktive në punën e Kuvendit, si ata në pozitë ashtu edhe ata në opozitë. Gjithashtu falënderoj të gjithë përfaqësuesit e pushtetit ekzekutiv për bashkëpunimin e mirë. Falënderoj edhe kolegët nga të gjitha partitë politike për mbështetjen që kanë shprehur gjatë këtyre ditëve si dhe dy viteve të fundit duke ushtruar funksionin e kryetarit të Kuvendit.
Dua të falënderoj të gjithë miqtë e mi dhe qytetarët e Ulqinit që më kanë përkrahur këto ditë, të gjithë ata që më kanë dërguar mesazhe dhe kanë përkrahur veprimet e mia, gjë që më bën krenar dhe dëshmon që isha në anën e duhur dhe që nuk i zhgënjeva pritshmëritë e tyre, kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Do të citoj vetëm një nga mesazhet e shumta: “Ardi, tanë kena mendu se ke me qenë kryetar rebel, por ti ke qenë vërtetë kryetar zatni”. Faleminderit miq të dashur!
Dëshiroj të falënderoj në mënyrë të veçantë nënkryetaren e Kuvendit, Nela Miloviq dhe sekretaren, Valdeta Osmani Hysa, që kanë qenë gjithmonë pranë meje sa herë që kam pasur nevojë. Dëshiroj të falënderoj të gjithë punonjësit e Shërbimit të Kuvendit të Komunës së Ulqinit - Valentinën, Astridën, Senadën, Ilvanën, Milihanë, Linditën, Gjergjin, Sabrin, Cufin, Arditin, Edon, Muhon, Xhudin, Fisin, dhe Arslanin. Ishte një kënaqësi e vërtetë të punoja me ju.
Së fundi, dua të falënderoj familjen time - prindërit, bashkëshorten Elmën dhe vajzat e mia - për mirëkuptimin dhe durimin e tyre gjatë mungesave të mia të gjata nga shtëpia dhe mungesës së vëmendjes. U premtoj se do të përpiqem ta kompensoj në të ardhmen.
Të nderuar të pranishëm, të dashur miq,
Funksionet janë të përkohshme dhe kalimtare. I përjetshëm është vetëm qyteti ynë mijëvjeçar Ulqini. Nuk ka kënaqësi dhe përmbushje më të madhe se kur largohesh me bindjen se ke pasur nderin dhe privilegjin të bësh diçka të mirë për qytetin tënd, për komunitetin dhe bashkëqytetarët e tu. Kryetares së re të Kuvendit i uroj shumë suksese dhe vendime të mira. Jam i sigurt se po e lë postin e kryetarit në duar të mira.
Faleminderit për vëmendjen!
Ulqin, 06.06.2024.
Ardijan Mavriqi
Kryetar i Kuvendit Ulqinit