30. Dhjetor 2022.
Fjala përshëndetëse e kryetarit në koktejin e Vitit të Ri

Fjala përshëndetëse e kryetarit Omer Bajraktari në koktejin e Vitit të Ri të organizuar mbrëmë nga Komuna e Ulqinit në Qendrën e Kulturës.

 

Faleminderit që erdhët në ceremoninë tonë për të festuar së bashku një vit të suksesshëm.

Ishte, besoj, viti që na riktheu vetëbesimin e lëkundur, viti kur në vetëm gjashtë muaj dëshmuam se dimë të marrim vendime dhe të menaxhojmë në mënyrë të pavarur komunën tonë.

Ky ishte viti kur në një kohë rekord stabilizuam financat publike, treguam sesi menaxhohen paratë e qytetarëve dhe miratuam buxhetin më të madh në historinë e qytetit për vitin e ardhshëm 2023 prej gati 18 milionë euro.

E kemi konfirmuar se kur menaxhohet mirë, ka para për të gjithë - nga studentët dhe sportistët, përmes fermerëve dhe organizatave të shoqërisë civile e deri te punonjësit në administratën komunale dhe ndërmarrjet publike, themeluesit e të cilave jemi ne.

Ndoshta më e rëndësishmja: treguam se të gjithë qytetarët janë të barabartë, d.m.th. se nuk ka dhe nuk mund të ketë të privilegjuar! Natyrisht, mjetet e grumbulluara kthehen përmes investimeve që përmirësojnë cilësinë e jetës së çdo qytetari të Ulqinit.

Ne porositëm para se të merrnim detyrën: mos na besoni derisa nuk të shihni një punë konkrete.

Dhe këtu kemi kënaqësinë të themi se po shtrojmë rrugët tona, se jemi një hap më afër ndërtimit të bulevardit të ri në Fushën e Ulqinit, si dhe të një stadiumi të ri në Plazhën e Madhe. Dhe se po bëhet rinovimi i Moles së Madhe, se në fillim të vitit do të nisë faza e dytë e rikonstruksionit të rrugëve në Kala dhe shpresojmë të ndërtohet porti i peshkimit.

Ne kemi zhbllokuar projektin e ujësjellësit dhe ujërave të zeza me Bankën Gjermane për Zhvillim - KFW, vlera e të cilit është vetëm faza e parë prej rreth 20 milionë euro.

Puna më e madhe na pret në ngritjen e cilësisë së ofertës sonë turistike, mbi të gjitha në rinovimin dhe ndërtimin e hoteleve të reja. Rikonstruksioni i Mediteranit ka nisur, gjithçka është gati për të filluar ndërtimet në vendin e ish-Jadranit, më pas Galebit, si dhe objekte të klasit të lartë në Plazhin e Madhë.

Me punën e përkushtuar  të punonjësve në Veprimtaritë Komunale, qyteti bëhet shumë më i pastër. Puna e madhe na pret në zgjidhjen e rendit komunal.

E gjithë kjo në asnjë mënyrë nuk do të mund të realizohej pa stabilitet politik në komunë, pra fal bashkëpunimit të shkëlqyer të të gjithë përbërësve në koalicionin tonë. Prandaj falënderoj sinqerisht të gjithë partnerët, si dhe opozitën përgjegjëse në parlamentin tonë.

Dhe një falenderit i veçant shkon për të gjithë bashkëpuntprët e mi, si dhe ata që na dhanë sugjerime, ide dhe propozime të dobishme për të përmirësuar punën tonë.

Gjithashtu, këtë nuk do të kishim arritur pa një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me Qeverinë e Malit të Zi dhe kryeministrin Dritan Abazovic. Dua ta falënderoj përzemërsisht për përkushtimin dhe vizionin e tij për këtë qytet.

Si dhe për diasporën tonë, e cila na priti ngrohtësisht në SHBA, dhe nga e cila presim një përfshirje më të fortë në të ardhmen rreth një sërë projektesh. Parku Familjar Hajdari në Zenelaj mund të shërbejë si një model perfekt.

Mendoj se kjo lloj atmosfere konstruktive ndihet në të gjithë komunën. Në këtë kontekst është e kuptueshme që kemi pasur një sezon turistike shumë të mirë, një ngjarje kaq të suksesshme “Sweet December” në Ranë dhe u se Ulqini u bë hit rajonal me organizatën “Lojës së Ivanit”.

Prandaj, sot Ulqini është një qytet prej nga vijnë lajmet e mira. Kështu që përgjegjësia jonë është edhe më e madhe, sepse duhet të justifikojmë besimin e bashkëqytetarëve tanë, turistëve dhe vizitorëve që vijnë dhe do të vijnë në Ulqin.

Jam i bindur se dekada e ardhshme është dekada e Ulqinit, dhe se tashmë ajo ka filluar.

Ky qytet dhe banorët e tij e merituan këtë pas një vonese të gjatë, që është vërtet mëkat nëse dimë se çfarë potenciale dhe resurse kemi ne.

Por tani e dimë edhe se jemi përgjegjës për fatin tonë, pasi e kemi vërtetuar për këto 200 ditë drejtimi të Komunës se dimë ta drejtojmë anijen tonë, siç e dinin shumë mirë detarët e Ulqinit me shekuj. Dhe për të ruajtur dhe kultivuar ullinjtë tanë dhe hapësirën tonë të mrekullueshme, zhvilluar bujqësinë në zonën e Anës së Malit dhe Shtojit, me shpresën se do të kemi edhe prodhimin e kristaleve të kripës në Kriporen tonë.

Në të njëjtën kohë, ne kemi nevojë për shumë më tepër risi dhe sipërmarrje lokale për t’i mbajtur të rinjtë tanë në këtë qytet më të bukur në botë.

Jam i sigurt që kemi zgjedhur një kurs të mirë dhe se në vitin 2023 do të kemi det të qetë dhe një sërë vendimesh të bukura dhe të mira nëse vazhdojmë të punojmë më shumë me përkushtim dhe transparencë. Plane, ide dhe projekte nuk na mungojnë.

Gjithsesi, para nesh është një periudhë rimëkëmbjeje të ekonomisë, zhvillimit të kulturës, arsimit dhe sportit dhe krijimit të institucioneve.

Filozofi i shquar Aleksis de Tokvill tha 180 vjet më parë se forca e kombeve të lira qëndron në komunë. “Institucionet komunale janë për liri siç janë shkollat fillore për shkencën, ato e bëjnë lirinë të afërt për njerëzit. “Pa institucione komunale, një komb,” thekson Tocqueville, “mund të krijojë një qeveri të lirë për vete, por nuk mund të zotërojë një frymë liridashëse”.

Me këtë shpresë dhe dëshirë për më shumë liri dhe solidaritet, stabilitet dhe zhvillim në të gjitha fushat, që Ulqini ynë të jetë një vend i këndshëm për të jetuar dhe punuar, kryeqyteti ekologjik dhe ndërkulturor i Malit të Zi, rajonit dhe Mesdheut, ju uroj të gjithëve çdo të mirë në jetën dhe punën Tuaj.

Urime Vitin e Ri, faleminderit përsëri të gjithëve dhe rrnofshi!