20. Oktobar 2014.
Vizita e z. Dirk Lange Komunës së Ulqinit

Me propozim të Delegacionit Evropian në Mal të Zi, shefi i Departamentit për Mal të Zi në Drejtoratin për Zgjerim të Komisionit Evropian z. Dirk Lange, me datën 11 korrik 2014, vizitoi Komunën e Ulqinit.
Fillimisht, kryetari i komunës së Ulqinit Fatmir Gjeka, i uroi mirëseardhjen me ç'rast i mbajti një prezantim të shkurtër mbi Ulqinin, dhe potencialet e zhvillimit që ky qytet posedon.

Interesim të posaçëm z. Dirk Lange shprehu për projektin Marubi: "Një model bashkëpunimi për zhvillim të turizmit në mes të Ulqinit dhe Shkodrës", si projekt ndërkufitar në mes të Shqipërisë dhe Malit të Zi, i cili u vlerësua si projekti i praktikës më të mirë.
Koordinatori i Zyrës Për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, z. Arsllan Hajdinaga nëpërmes prezantimit në powerpoint, e njoftoi zotërinë Lange me aktivitetet që u implementuan në kuadër të këtij projekt.
Më pas vizitoi Muzeun e Ulqinit, si dhe galerinë ku është e vendosur ekspozita permanente e cila u përmblodh në kuadër të të njëjtit projekt -"Një shekull fotografi Ulqini dhe rajoni 1860-1950".
Brenda galerisë së artit, mu brenda Kullës së Balshajve, z. Dirk Lange pati rastin që të sprovojë eksperiencën e simuluar të studiosë Marubi, ku me veshje kombëtare pozoi para prapavisë së improvizuar me motiv natyre (marrë nga konkursi i fotografisë "Thesaret e fshehura të Ulqinit"). Ju përkujtojmë që, në fund të shekullit 19, si dhe në fillim të shekullit 20, në studio Marubi me veshje kombëtare pozuan persona eminent të asoj kohe, ambasadorë, dipomatë të huaj dhe të ngjashëm.
Më pas, zotëri Lange, dha një kumtesë për shtyp, ku ceku rëndësinë e projekteve Evropiane, si dhe rëndësinë e implementimit të suksesshëm, por edhe rëndësinë e vazhdimësisë të projekteve të inicuara, edhepse afati implementues i tyre ka përfunduar.
Ai gjithashtu premtoi përkrahje të mëtejshme për qytetin e Ulqinit, sa i përket fondeve Evropiane.
Më pas, në drekën e servuar në një nga restoranet e Kalasë së Ulqinit, z. Lange, shoqëruar nga stafi i Komunës së Ulqinit, u njoftua më gjerësisht me të kaluarën e begatshme të Ulqinit, por edhe me problemet aktuale të kësaj Komune.