01. Septembar 2014.
Delegacioni nga Komuna e Ulqinit në Sarajevo Business Forum 2014

Javën e kaluar në Sarajevë u mbajt Forumi i 5-të Ndërkombëtar i Biznesit, ku morën pjesë edhe përfaqësuesit e Komunës së Ulqinit: Nënkryetari i Komunës Ardijan Mavriq, Kryetari i Kuvendit Fuad Haxhibeti, Sekretari për Ekonomi dhe Zhvillim Milazim Mustafa dhe Latif Haxhibrahimi nga Zyra për Projekte dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar.

Forumi ka bashkuar një numër të madh biznesmenësh të shquar nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, përfaqësuesit e fondeve më të mëdha të investimeve në botë, si dhe përfaqësues të lartë shtetërorë, duke përfshirë ministrat e punëve të jashtme të Turqisë dhe Katarit, z. Ahmet Davutoglu dhe z. Khalid bin Mohammad Al Attiyah, si dhe presidentin e Malit të Zi, z. Filip Vujanoviq.
Përfaqësuesit e Komunës së Ulqinit kanë vendosur kontakte me investitorë potencialë, të cilët kanë shprehur interesim të posaçëm për Ulqinin. Z. Adil Bushnak nga Arabia Saudite, kryetari i Bushnak Group, grup i cili ka disa kompani në fushat e ujit, mjedisit dhe energjisë, ka vizituar Ulqinin pas konferencës gjatë datave 16 dhe 17 maj, ku ka pasur mundësinë që t'i shohë nga afër potencialet e qytetit. Gjatë kësaj vizite ai është takuar edhe me Kryetarin e Komunës, z. Fatmir Gjeka, ku u bisedua për potencialet zhvillimore të Ulqinit në bujqësi, turizëm dhe energji të rinovueshme.
Forumi i Biznesit në Sarajevë është një ndër ngjarjet më të rëndësishme të biznesit në rajon, i cili ka rezultuar i suksesshëm me realizimin e projekteve konkrete, të financuara nga investitorë si Autoriteti i Investimeve i Kuvajtit, Fondi Shtetëror i Investimeve i Malajzisë, Autoriteti i Investimeve i Katarit etj.
Gjatë qëndrimit në Sarajevë, delegacioni i Komunës së Ulqinit zhvilloi takim edhe me Ambasadorin e Shqipërisë në Sarajevë, z. Flamur Gashi. Në mes tjerash, gjatë këtij takimi, si prioritete janë cekur rruga Krajë - Zogaj e Shkodrës dhe rruga Velipojë - Ulqin, të cilat do të ndihmonin në mënyrë të drejtpërdrejtë zhvillimin e ekonomisë në përgjithësi dhe turizmit në veçanti në të dyja anët e kufirit. Delegacioni i Ulqinit gjithashtu ka marrë ftesë nga Ambasadori për të hapur ekspozitën "Marubi" edhe në Sarajevë në hapësirat e Ambasadës së Shqipërisë.